Komuna e Preshevës "harron" personat me aftësi të kufizuar! (Foto)
Në Preshevë u mbajt tryeza e rrumbullakët nga Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar (SHPAK), me rastin e 3 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të tyre.
Në tryezën e rrumbullakët që u mbajt të mërkurën nga Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara në Preshevë, u diskutua lidhur me gjendjen dhe pozitën e personave me aftësi të kufizuara, shërbimet që përfitojnë nga institucionet në Preshevë.
Sipas njoftimit që shoqata ka dërguar në redaksinë e portalit informativ Titulli, thuhet se drejtuesit komunal nuk kanë marrë pjesë në këtë tryezë.
“Edhe pse ishin të ftuar edhe pushtetarët komunal dhe deputetët, ata nuk ishin prezent sepse gjatë diskutimeve shumica e problematikës kishte të bënte me kompetencat e tyre”, thuhet në njoftim.
Në tryezën e drejtuar nga koordinatori Liridon Fejzullahu ku prezantuan përfaqësues nga shoqëria civile, drejtorët e institucioneve lokale, mediat dhe përfaqësues të tjerë, u ngritën çështje të rëndësishme me të cilat çdo ditë ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara.
U diskutua për identifikimin, intervenimin e hershëm, shërbimin e këshillimit, mënyrat e qasjeve publike, eliminimin e barrierave fizike, realizimin e të drejtës fundamentale për arsimim dhe edukim, realizimin e të të drejtave që kanë të bëjnë me përfitimin e shërbimeve sociale dhe realizimi i ndihmës dhe kujdesit.
“Përfitimi i shërbimeve adekuate shëndetësore në komunën tonë, e jo për një intervenim të vogël të shkojnë këta persona në qendra më të largëta. Po ashtu vend të rëndësishëm gjatë diskutimeve ishte edhe punësimi i këtyre personave, ku nga zyrtari nga enti për punësim u theksua se dhe pse ekziston Ligji për punësimin e këtyre personave, ai nuk zbatohet nga institucionet tona në Preshevë”, thuhet në kumtesën e SHPAK-së.
Si pasojë e moszbatimit e Ligjit për punësim dhe rehabilitim profesional, sipas Shoqatës priten ndëshkime të mëdha për këto institucione.
Tryeza e mbajtur në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi ë Kufizuar u përmbyllë duke sjellë këto konkluzione, të cilat do të ndihmonin që vitin e ardhshëm dhe më tutje të kontribuohet në shtjellimin dhe përmirësimin e situatës në këto pozita:
• Funksionalizimi i këshillimoreve për prindër dhe familjar,
• Vetëdijesimi i popullatës dhe menaxhuesve të institucioneve që veprojnë në Preshevë,
• Të themelohet koalicion-rrjet i shoqatave në kuadër të komunës tonë ku theks i veçantë t’i kushtohet shoqatës së personave me aftësi të kufizuara dhe realizimi i qëllimeve të tyre,
• Shprehja zyrtare dhe publike e pakënaqësive ndaj pushtetit lokal, rajonal dhe qendror për neglizhencën e deritanishme
• Sensibilizimi i opinionit përmes mjeteve elektronike e mediave të atyre shkelësve të ligjit dhe publikimi i atyre që diskriminojnë këta persona,
• Gjithë personat me aftësi të kufizuar të aftë për punë të jen në kontakt me shërbimet profesionale për t’i realizuar të drejtat e tyre,
• Të hapet konkurs nga komuna për shoqatat dhe të ketë projekte konkrete për ndarjen e mjeteve, që të fitojnë ata që posedojnë ekip dhe punojnë me projekte konkrete,
• Eliminimi i barrierave fizike dhe përshtatjen e objekteve për lëvizje më të lirë,
• Organizimi i seminareve dhe trajnimeve për mësimdhënësit e gjitha niveleve të arsimit për zbatimin e inkluzionit dhe gjithëpërfshirjen e tyre
• Paraqitja e gjithë personave me aftësi të kufizuara në shoqatën tonë dhe vullnetarëve që janë të gatshëm të kontribuojnë në këtë aspekt,
• Të formohet një ekip me jurist dhe profesionist për dhënien e mbështetjes ligjore për realizimin e të drejtave që u takojnë me ligjet aktuale në Serbi dhe shfrytëzimi i mekanizmave ligjore për realizimin e këtyre të drejtave. /Titulli.com/
Dokumentari i realizuar në vitin 2012-të: Në rrugë